Connect with us

Jete

Nese doni qe i dashuri juaj te mos ju tradhetoje asnjehere atehere duhet te beni keto 10 sjellje te vogla per te

Published

on

Pavarësisht, këshillave të gatshme dhe të kudogjendura tashmë për marrëdhëniet dashurore, ata që janë në kërkim të dashurisë shpesh përballen me faktin që ajo çfarë ata presin të përjetojnë me atë që realisht ndodh janë dy realitete që rrallë përkojnë..

Ngulmues ata vazhdojnë të kërkojnë të zotërojnë artin e aftësive që premtojnë t’iu japin një dashuri që zgjat në kohë. Megjithatë, në dyzet vjet të punës me individë dhe çifte, fatkeqësisht kam vërejtur zhgënjime të vazhduara kur marrëdhëniet në dukje shpresëdhënëse, thjesht nuk funksionojnë. Njerëzit pyesin veten çfare nuk po bëjnë siç duhet? Çfarë po iu mungon?  

Kam besimin se e di çfarë iu mungon: Ata kërkojnë zgjidhjet e gabuara. Kërkojnë në vendet e gabuara.  Thellësisht besoj që pavarësisht sa energji dhe përpjekje njerëzit investojnë për të zotëruar marrëdhënie të ndërlikuara dhe të turlillojshme, shpesh ata anashkalojnë dhe nuk iu japin rëndësi sjelljeve më bazike dhe themeltare që një dashuri afatgjatë kërkon. Pa këto sjellje primare, asnjë çift nuk mundet të thellojë dhe ruajë një marrëdhënie afatgjatë.

10 sjelljet që do shpjegoj më poshtë duhet të jenë në bazë të çdo marrëdhënieje intime dhe këto sjellje kanë ekzistuar gjithmonë në çdo marrëdhënie cilësore pavarësisht kohës, epokës apo kulturës. Ato janë të motshme dhe pavarësisht se të rinjve nuk do t’iu pëlqejë kjo, edhe “të  modës së vjetër” gjithashtu. Dhe po, vërtet funksionojnë.

1. Trajtim me drejtësi i partnerit

Shumë shpesh në punën time me çiftet, njëri ose të dy partnerët qahen “për padrejtësi” kur ndjejnë që janë trajtuar në mënyrë të padrejtë nga partneri tjetër. Ata ankohen për pabarazi, standarde të dyfishta, grabitje të pushtetit, manipulime të fajit, betime të pambajtura, marrëveshje të thyera dhe egoizëm të njëkahshëm.

Shumë prej këtyre reagimeve zhgënjyese dhe qejfmbetëse, lindin nga keqkuptimet ose nga premtime të pamenduara mirë të cilat duke mos u mbajtur minojnë mirëbesimin në të ardhmen. Partnerët e marrëdhënieve të mira dëshirojnë që t’i japin tjetrit trajtim të drejtë në zgjidhjen e konflikteve. Ata në mënyrë autentike dhe proaktive, negociojnë nevojat individuale në marrëdhënien në çift, duke u siguruar që të flasin hapur lidhur me çfarë udhëheq sjelljet e tyre individuale. Këto ndërveprime të ngritura në bazë të respektit, krijojnë edhe themelin e drejtësisë në marrëdhënie. 

2. Respekt për brishtësinë, cënueshmërinë e partnerit

Ndërkohë që partnerët fillojnë ta njohin njëri-tjetrin më mirë, me kalimin e kohës ata mësohen të shohin edhe lakuriqësinë emocionale të njëri-tjetrit.  Ka të ngjarë që ata të kenë ndarë momentet më të brishta, mendimet, ndjenjat dhe përvojat më të thella dhe të imëta. Disa prej këtyre pranimeve, rrëfimeve, hapjeve janë ndarë në momentet më intime dhe disa prej tyre nuk i janë thënë asnjë partneri tjetërtë mëparshëm, me shumë gjasë. Duke ditur që tjetri përballë ka dijeni për këto ndjenja  që mund të gjykohen potencialisht turpëruese nga pikëpamja shoqërore,  i bën partnerët më të brishtë përballë dyshimit se ato mund të përdoren si armë kundër tyre gjatë ndonjë konflikti të mundshëm. Partnerët të cilëve iu është dhënë lejekalim për në botën e brendshme të tjetrit, e dinë çfarë shprehjesh ose sjelljesh mund të lëndojnë dhe çfarë mund të shërojnë.  Njerëzit që i vlerësojnë dhe nderojnë të fshehtat e shenjta të partnerit, nuk e përdorin këtë informacion për të shkaktuar lëndim. Ata janë të vetëdijshëm për faktin që kanë në duart e tyre një rreze lazeri të aftë të shkaktojë lëndime ose t’i shërojë ato. Ata duhet ta përdorin këtë dituri, me qëllime të qarta dhe me përgjegjshmëri të plotë për rezultatin.

3. Trajtim me fisnikëri

Prindërit e fëmijëve të vegjël e dinë si është të kalosh zgjuar gjithë natën me një fëmijë të sëmurë. Kur më në fund ethet bien dhe fëmija bie të flerë, ata ndihen të rraskapitur, por mirënjohës për gjithçka bënë.

Të qenurit të aftë për të sakrifikuar pa luajtur martirizimin ose pa nevojën për të kërkuar shpërblim ose mirënjohje, është baza e fisnikërisë. Kënaqësia e asaj forme të dhëni, vjen nga vetë akti, veprimi, të bërët. Njeriu që vepron kështu, nuk pret që t’i kthehet e mira në një mënyrë ose tjetër ose të mbahet partneri në borxh për shërbimin e dhënë.

Megjithatë askush nuk mund të sillet në mënyrë fisnike, kalorësiake në çdo moment ose rast, as nuk duhet t’i kërkohet që të sillet  gjithmonë kështu, qoftë e dhe në një marrëdhënie cilësore. Por partnerët të cilët e dinë që mund të mbështeten tek shoku i zemrës në kohë të vështira, ndjejnë një siguri themeltare, besim pa të cilin ata nuk mund të jetojnë. Është pikërisht kjo ndjenjë e thellë, intime, sigurie dhe mbështetjeje reciproke, ajo që i bën partnerët të dhurojnë mbrapsht mirënjohje dhe bujari.

Ka kohë që në çdo marrëdhënie, kur një partner duhet të kryejë akte kalorësiake për një kohë të gjatë pa marrë asgjë mbrapsht. Për të parandaluar ndjenjën e natyrshme të të ndjerit si “i përdorur”, ata duhet të kenë në krah një partner thellësisht vlerësues dhe mirënjohës, me qëllim që të sigurohen se në kohë të vështira për ata vetë, partnerët e tyre do të sakrifikojnë po kaq.

4. Respekt për besimet e partnerit tjetër

Pavarësisht sa të përputhshëm dy njerëz janë me njëri tjerin, jo gjithmonë ata ndajnë të njëjtat besime, dëshira ose opinione. Disa prej mendimeve ose veprimeve të tyre mund të jenë aq të ndryshme sa të ngjallin konflikt dhe duhet të negociohen dhe pranohen ashtu siç janë nga partneri tjetër.

Të respektuarit e mënyrës unike përmes së cilës partneri tjetër përjeton jetën, është thelbësore për çdo marrëdhënie cilësore. Shumë njerëz besojnë që partnerët e suksesshëm duhet të bien dakort me çdo gje të rëndësishme. Por edhe në marrëdhëniet më të mira, ka disa ndryshime të thella të cilat është e vështirë të negociohen ose pranohen. Të dëgjosh, të eksplorosh dhe të shtrihesh përtej besimeve dhe paragjykimeve personale, është absolutisht e nevojshme për të arritur  marrëveshje dhe  mirëkuptim të qëndrueshëm. Çiftet shpesh rrëfejnë se çfarë druajnë më shumë është se nëse i pranojnë mendimet apo qëndrimet e partnerit të tyre, ata do të fillojnë t’i aplikojnë edhe vetë ato. Në të vërtetë, ky është një perceptim i gabuar. T’i japësh partnerit tënd mirëkuptim dhe mbështetje, nuk do të thotë që automatikisht ti ke rënë dakort me veprimet ose opinionet e tij. Kur të dy partnerët bëjnë vend dhe mirëpresin ndjenjat dhe mendimet e ndryshme të tjetrit, ata rriten personalisht dhe bëhen më fleksibël e pranues pa prekur mëvetësinë dhe autonominë e besimeve personale.

5. Elasticiteti  

Për shumë vjet, kërkuesit dhe profesionistët e fushës, janë përpjekur të ndihin njerëzit që të rrisin nivelin e tyre bazik të lumturisë. U bë kohë që rekomandohet nxitja e sjelljeve të tilla, si të përqendruarit tek të mirat, bekimet e jetës, të parit e gotës gjysmë plot dhe marrja me gjëra që në të vërtetë nuk kanë aq ndikim në lumturinë vetjake të njeriut.

Por të luftosh për të gjetur qoftë lumturinë individuale apo dhe atë të përbashkët, jo gjithmonë funksionon në një marrëdhënie të vazhduar. Ndonjëherë është pikërisht njëri nga partnerët ai që sfidon mirëqenien e tjetrit. Këto mospërputhje mund të çojnë lehtësisht në konflikt dhe të shkaktojnë një ftohje të përkohshme mes çiftit.

Asnjë marrëdhënie nuk i shpëton dot mosmarrëveshjeve, ftohjes, keqkuptimeve, prandaj është më e rëndësishme që partnerët të thellohen në faktin sesa shpejt janë në gjendje të zgjidhin dhe të shërohen nga këto mosmarrëveshje. Ky është në të vërtetë elasticiteti i marrëdhënies, një cilësi shumë e çmuar dhe e nevojshme për të mbajtur gjallë dashurinë.

Në të gjitha marrëdhëniet, ndërveprimet pozitive me ato negative konkurojnë thekshëm me njëra-tjetrën. Marrëdhëniet me përqindjen më të lartë të përvojave negative, e minojnë aftësinë e një çifti që ta kapërcejnë lehtë mosmarrëveshjen. Pasojat e mosmarrëveshjeve të shpeshta dhe të keqdrejtuara mes dy çifteve, krijojnë një rrugë më të vështirë për t’u ribashkuar për të dy partnerët. Çiftet që e dinë sa e rëndësishme është të rikthehen pas një mosmarrëveshjeje, punojnë shumë për të vendosur normalitetin dhe gjykimin e shëndoshë brenda një kohe shumë të shpejtë.

6. Përkujdesje individuale për shëndetin personal.

Në marrëdhëniet e shkëlqyera, partnerët nuk tolerojnë vetëshkatërrimin ose mungesën e vullnetit për të ndryshuar sjelljet negative. Partnerët të cilët fillojnë të marrin përgjegjësinë për vetëdëmtimin ose neglizhencën e tjetrit ndaj vetes, mund të mendojnë se po ndihmojnë. Por është një gjë të jesh një partner i kujdesshëm dhe mbështetës, dhe një tjetër të përpiqesh ta detyrosh atë t’i përmbahet kufizimeve dietike, stërvitjes, mjekimeve ose të trajtohet nga sjelljet e varësive të ndryshme, sidomos nëse ato përgjigje janë joefektive.

Është veçanërisht e vështirë për një partner të interesuar të ndihmojë kur ai ose ajo preket drejtpërdrejt nga vazhdimi i vetëdëmtimit të tjetrit. Përpjekja për të qenë i dhembshur ndërsa ndjeheni të dobësuar ose sabotuar është një rrugë e vështirë për këdo, dhe e padrejtë nëse sjellja vazhdon pa kontroll.

Ka, natyrisht, përjashtime. Ndonjëherë një person i ndërgjegjshëm më parë për shëndetin zihet nën presionin e një sëmundjeje serioze ose humbjeje të rëndësishme. Këto janë periudhat kur është plotësisht e përshtatshme të pranosh dorëzimin e partnerit të sëmurë, pa qenë nevoja për të shtuar kritika për diçka  që është ndër veti një barrë shqetësuese.

Mjerisht, ka raste kur partnerët janë aq të lidhur në mënyra të tjera të rëndësishme, saqë ata nuk mund të lënë marrëdhënien, edhe në rastin kur shohin partnerët e tyre vetëshkatërrues të dëmtojnë ose lënë pas dore veten e tyre. Në këto raste, është e rëndësishme që partnerët e shëndetshëm të ruajnë kujdesin për veten e tyre, edhe nëse kjo do të thotë të heqin dorë nga ndihma nga ndihma e dhënë deri tanimë.

7. Skuadra e para

Partnerët e përkushtuar, drejtpeshojnë me kujdes zhvillimin e tyre personal me zhvillimin e marrëdhënies së tyre. Ata e nxisin njëri-tjetrin që të bëjnë gjithçka nevojitet për transformimin personal, por jo në kurriz të marrëdhënies së përbashkët. Besimi është themeli parësori i çdo marrëdhënieje cilësore. Marrëveshjet që e mbajnë gjallë besimin, duhet të zbatohen nga të dy partnerët. Që marrëdhëniet të lulëzojnë, duhet që të dy palët në marrëdhënie të bien dakort cilat sjellje janë etike dhe morale. Të dy partnerët, duhet të kene besimin se tjetri do t’i mbajë këto qëndrime etike kur nuk janë në prani të partnerit tjetër. Marrëdhëniet kanë fatin të kenë kaq shumë burime! Çiftet mund të bien dakort për sa kohë, energji, para, disponim dhe përvoja do të ndajnë me njëri-tjetrin. Nevojat ose dëshirat personale që marrin më shumë se burimet e kombinuara të çiftit me kalimin e kohës do e shterrojnë marrëdhënien dhe kësisoj do ia mbërrijnë ta shkatërrojnë atë.

8. Trajtimi  me dinjitet

Në mënyrë të veçantë, kërkesa që në një marrëdhënie të ndërtohet një sjellje e këtillë, mund të ngjajë shumë e qartë dhe e kuptueshme për shumë njerëz, por në të vërtetë prania e saj më shumë supozohet sesa aplikohet në të vërtetë. Pa e kuptuar, njerëzit në një marrëdhënie të gjatë fillojnë e marrin për të mirëqenë tjetrin dhe harrojnë sa e rëndësishme është të vazhdojnë t’iu japin atyre respektin dhe vëmendjen që ua japin në mënyrë të njëmendttë të huajve ose atyre që sapo i kanë njohur.

Është e vërtetë që marrëdhëniet e përkushtuara duhet të krijojnë një strehëz, një parajsë mbrojtëse nga bota e jashtme, një vend ku partnerët të ndihen të çlirët, të paqtuar dhe jo gjithmonë në detyrë ose në dispozicion. Por kjo nuk do të thotë që ata të jenë të detyruar të durojnë fjalë ose veprime që nuk do të ishin të pranueshme dhe do të konsideroheshin të gabuara gjithkund tjetër. Është e kuptueshme të gërmushesh pas një dite të vështirë, të ndihesh i irrituar dhe i zemëruar që disa nga kërkesat e tua nuk janë plotësuar në kohë, ose të shprehësh zhgënjimin tënd për çështje dhe situata specifike, por kjo sjellje nuk mund  dhe nuk duhet të shndërrohet në një ndjenjë ankimi të vazhdueshëm, të pandërprerë dhe sfiitës për marrëdhënien.

Mjerisht ndodh shpesh që më të përkushtuarit e partnerëve janë ata mbi të cilët shkarkohen sjelljet dhe qëndrimet që partneri tjetër nuk arrin dot t’ia përcjellë askujt tjetër. Ky është një nder i dyshimtë që po i bëni shokut të jetës. Çiftet në marrëdhëniet e reja, përgjithësisht janë të vëmendshëm të jenë të dashur, përkujdesës, empatikë dhe mbështetës. Në këto rrethana përkrahëse, dashuria dhe ndjenjat e mira shpërthejnë. Fatkeqësisht, ndërkohë që marrëdhëniet maturohen, shumica e njerëzve e harrojnë këtë të vërtetë dhe lejojnë që këto sjellje të rëndësishme të mpaken dhe fashiten.

9. Vetëreflektimi

Mënyra më e mirë si dikush mund të vlerësojë veten është të krahasojë sjelljet reale me ato që idealisht ka ngritur në mendjen e tij. Këto reflektime personale rrjedhojnë nga besimet kulturore, shpirtërore, intelektuale, fizike dhe emocionale. Ato përcaktojnë gjykimin personal sesi “një njeri i mirë” duhet të sillet në jetën e vet, pavarësisht gjykimit të të tjerëve për të. Kur njerëzit nuk jetojnë sipas këtyre besimeve ata me shumë gjasa fillojnë të ndjejnë faj, pendesë dhe konflikt. Prej shkallës dhe ndikimit të këtyre reagimeve do të përcaktohet nëse dhe kur ata do të zgjedhin t’i ndryshojnë sjelljet që ua shkaktojnë këto ndjesi.   

Nëse në një marrëdhënie dikush gjendet në konfliktin që nuk po e jeton jetën sipas besimeve të veta, nuk duhet të fajësojë partnerin për këtë, përkundrazi. Në momentin që njëri prej njerëzve të përfshirë në një marrëdhënie pikas se ky është problemi, ai duhet të përpiqet që ta zgjidhë këtë duke kuptuar fillimisht përgjegjësinë e vet në këtë situatë. Fajësimi i të tjerëve për mungesën e ujdisë, harmonisë me veten, është në thelb një shmangie e përgjegjësisë personale, dhe i takon njeriut që e vuan të korrigjojë rrjedhën e sjelljeve dhe qëndrimeve personale.

 10. Zotimi për t’u bërë personi Alpha.

Njerëzit Alpha janë ata tek të cilët pjesa më e madhe jona mbështetet. Janë ata që njihen për aftësinë e tyre për të ruajtur qëndrueshmërinë shpirtërore nën stress, për t’u kujdesur për “tufën”, për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë harmonike dhe për të zgjidhur problemet me mprehtësi dhe drejtësi. Në thelb, ata simbolikisht janë si “prindërit idealë”.  Të tilla cilësi janë të respektuara dhe të kërkuara në çdo kulturë dhe në çdo marrëdhënie të suksesshme. Jo të gjithë njerëzit në jetën e tyre kanë fatin të takojnë dhe ndajnë jetën me një Alpha, por nëse dikush vërtet e dëshiron një shteg të mirë në një marrëdhënie, mund të mësojë të vërë në veprim parimet dhe sjelljet e këtyre njerëzve të rrallë. Gjithkush që dëshiron, mund të mësohet t’i praktikojë ato.

Burrat dhe gratë Alpha i trajtojnë partnerët e tyre me respekt dhe i ndihmojnë ata të të ndihen të dëshiruar, të vlerësuar dhe të sigurt pa kërkuar favore apo shkëmbime. Ata janë të ndershëm, të drejtpërdrejtë, përgjegjës dhe llogaridhënës për gabimet e tyre, të hapur për ide të reja dhe të gatshëm për të marrë në sy rreziqe për ta çuar përpara dhe për ta përmirësuar marrëdhënien e tyre. Ata nuk përkulen para presionit dhe me vullnet të lirë sakrifikojnë nevojat e tyre në të mirë dhe interes të nevojave të marrëdhënies.

Trending

Copyright © 2009-2020 NewsRaport